LAJME • Botë
Pakistan: Autobusi bie në një humnerë, 40 të vdekur

Të paktën 40 persona kanë humbur jetën dhe tetë të tjerë janë plagosur pasi një autobus pasagjerësh doli nga rruga dhe ra në një humnerë shkëmbore në jugperëndim të Pakistanit, në një nga aksidentet më të rënda rrugore të viteve të fundit.
Sipas autoriteteve, aksidenti ndodhi herët të premten në zonën e largët Dana Sar, pranë kufirit mes provincave Balochistan dhe Khyber Pakhtunkhwa. Zëdhënësi i qeverisë së Balochistanit, Shahid Rind, tha se autobusi ishte i mbingarkuar, pasi përveç pasagjerëve të tij kishte marrë edhe udhëtarë nga një autobus tjetër që ishte prishur gjatë rrugës. Një nga të mbijetuarit, i shtruar në spital, u tha mediave lokale se disa pasagjerë kishin kundërshtuar marrjen e udhëtarëve shtesë. Sipas tij, pas një debati, një pasagjer dyshohet se e kishte kapur shoferin nga qafa, çka mund të ketë bërë që ai të humbiste kontrollin e mjetit dhe autobusi të përfundonte në humnerë. Megjithatë, policia ka bërë të ditur se ky pretendim nuk është verifikuar ende dhe se hetimet për shkaqet e aksidentit po vazhdojnë, raporton Euronews.