LAJME • Kosovë

Kurti në New York kërkon hapjen e arkivave nga Serbia dhe që Bondsteeli të bëhet bazë e përhershme

Kurti në New York kërkon hapjen e arkivave nga Serbia dhe që Bondsteeli të bëhet bazë e përhershme

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, ka kërkuar që Kampi “Bondsteel” të shndërrohet në bazë të përhershme ushtarake amerikane dhe që Serbia t’i hapë arkivat e luftës.

Gjatë qëndrimit në New York, në margjinat e Asamblesë së Përgjithshme të OKB-së, Kurti është takuar me kongresistin amerikan George Latimer. Ata kanë diskutuar për bashkëpunimin Kosovë–SHBA, sigurinë, zhvillimin ekonomik dhe forcimin e pozitës ndërkombëtare të Kosovës. Kurti tha se shndërrimi i “Bondsteelit” në bazë të përhershme amerikane do t’i shërbente paqes dhe sigurisë afatgjate në rajon. Në takim u diskutua edhe për personat e zhdukur gjatë luftës, varrezat masive dhe nevojën për hapjen e arkivave nga Serbia. Kurti kërkoi gjithashtu që Milan Radoiçiq të përballet me drejtësinë në Kosovë për sulmin në Banjskë. Ai ngriti edhe çështjen e të drejtave të shqiptarëve në Luginën e Preshevës, ndërsa falënderoi SHBA-në për mbështetjen e vazhdueshme ndaj Kosovës.