Lojëra24 nëntor 2026
Hakeri shqiptar që vodhi pamjet e GTA 6, lirohet me kusht

TEMPULLI TECH
Arion Kurtaj, 21-vjeçari i njohur për sulmin kibernetik ndaj Rockstar Games dhe vjedhjen e pamjeve të GTA 6, është dënuar me shtatë vjet burgim, por është liruar me kusht po atë ditë.
Gjatë seancës gjyqësore në Woolwich, gjykatësi Turner e paralajmëroi Kurtajn: “Je një i ri shumë i talentuar. Mos lejo që kjo të ndodhë përsëri”.
Kurtaj ishte deklaruar fajtor për disa sulme kibernetike të kryera në moshën 16 dhe 17-vjeçare, si pjesëtar i grupit të hakerëve Lapsus$.
Përveç Rockstar Games, ai kishte sulmuar edhe kompanitë Revolut dhe Uber. Sipas BBC-së, dëmet e shkaktuara nga aktivitetet e grupit vlerësohen në rreth 10 milionë funte.
Në vitin 2022, Kurtaj arriti të depërtonte në sistemet e Rockstar Games nga një dhomë hoteli në Angli, duke përdorur një pajisje Amazon Fire Stick, tastierë dhe maus.
Ai vodhi 90 videoklipe me rreth 60 minuta pamje nga GTA 6, ndërsa kërcënoi kompaninë me publikimin e kodit burimor të lojës.
Rockstar Games kishte deklaruar se sulmi i kishte shkaktuar dëme prej rreth pesë milionë dollarësh.
Fillimisht, Kurtaj ishte dënuar me qëndrim të pacaktuar në një spital të sigurisë së lartë, për shkak të gjendjes së tij shëndetësore, ndërsa më vonë ishte transferuar në një burg të zakonshëm.
Vendimi i fundit gjyqësor përfshin edhe një urdhër pesëvjeçar për parandalimin e krimeve të rënda, kufizimin e aktiviteteve në internet dhe ndalimin e përdorimit të platformave Telegram dhe Discord.
TEMPULLI TECH
← Kthehu te lajmet