TEKNOLOGJI

Emisioni televiziv i viteve ’70 që po shkakton panik në mbarë botën - 50 vjet më vonë

Emisioni televiziv i viteve ’70 që po shkakton panik në mbarë botën - 50 vjet më vonë

Kur dokumentari i rremë britanik Alternativa 3 [Alternative 3] tentoi t’i trembte shikuesit me idenë se shkencëtarët po zhdukeshin - si pjesë e një komploti të errët hapësinor - ai pati sukses. Sot, teoria konspirative që lindi prej tij ka bërë që edhe qeveria e Trumpit të nisë një hetim. Në muajt e fundit, një histori e çuditshme është përhapur gradualisht në mediat kryesore - përmes qosheve sensacionale të Substack-ut dhe YouTube-it. Pretendimi i saj: shkencëtarët, puna e të cilëve lidhej me kërkimet hapësinore dhe bërthamore, po vdesin ose zhduken. Sipas një raporti me ndikim të publikuar në Daily Mail në mars, këto zhdukje formojnë një “model rrëqethës”: për shembull, dy prej tyre kishin punuar së bashku në një laborator të forcave ajrore. Në disa versione të historisë, nënkuptimet janë thuajse si në filmat e Holivudit: shkencëtarët që punonin në zbulime tepër sekrete përballen me forca të errëta që duan të përvetësojnë atë që ata dinë - ose ta sigurojnë heshtjen e tyre. Dhe, e gjithë kjo duket se lidhet me atë që dikur e quanim UFO. Pas analizës, këto pretendime shemben. “Shkencëtarët” në fjalë në fakt punonin në fusha krejt të ndryshme - nga biologjia kimike deri te fizika e plazmës. Disa prej tyre ishin administratorë. Dy kishin dalë në pension. Njëri vdiq prej shkaqeve natyrore; një tjetër gjatë një sulmi me armë zjarri. Për më tepër, siç ka theksuar studiuesi që demaskon teoritë konspirative, Mick West, numri i personave me autorizime të larta sekrete në sektorët amerikanë të hapësirës ajrore dhe bërthamore është rreth 700 mijë, kështu që normat normale të vdekshmërisë do të parashikonin shumë më tepër vdekje gjatë periudhës 22-mujore që përmendet - rreth katër mijë. Megjithatë, anëtarë të Kongresit kanë paralajmëruar me tone të errëta për kërcënime ndaj “sigurisë kombëtare.” Administrata Trump ka nisur një hetim mbi një fenomen që shpesh thuhet se shoqërohet me diçka të quajtur Alternativa 3 - origjina e së cilës mund të rezultojë befasuese për Trumpin dhe bashkëpunëtorët e tij. Më 20 qershor 1977, një episod i emisionit Science Report në Anglia Television, u transmetua në ITV. Ai synonte të hetonte “ikjen e trurit” të shkencëtarëve britanikë drejt Shteteve të Bashkuara. Por, shpejt doli se disa prej këtyre shkencëtarëve ishin zhdukur krejtësisht, ndërsa disa të tjerë kishin vdekur në rrethana të çuditshme. Gazetarët kishin hasur në diçka gjigante. Siç shpjegonte me seriozitet prezantuesi, ish-spikeri i lajmeve të ITV-së, Tim Brinton, efekti serrë së shpejti do ta bënte Tokën të pabanueshme dhe kjo i kishte detyruar të pushtetshmit të zgjidhnin mes alternativave të tmerrshme. Qeveritë amerikane dhe sovjetike kishin vendosur të bashkëpunonin fshehurazi për të zbatuar Alternativën 3: ndërtimin e një baze në Hënë dhe, prej andej, një “koloni mbijetese njerëzore” për elitën në Mars. Shkencëtarët e zhdukur ishin rekrutuar për të luajtur rolin e tyre në këtë projekt; ata që kishin vdekur kishin kërcënuar se do ta zbulonin planin.