SPORT
Brazili nuk e merr me vete Neymarin për ndeshjen e dytë, e lë në hotel të stërvitet

Kombëtarja e Brazilit do të jetë sërish pa yllin e saj kryesor, Neymar, në ndeshjen e dytë të Kupës së Botës 2026.
Sulmuesi brazilian vazhdon të ketë probleme fizike dhe nuk do të jetë në dispozicion të trajnerit Carlo Ancelotti për sfidën kundër Haitit. Pas barazimit 1-1 ndaj Maroku në ndeshjen hapëse të turneut, Brazili do të kërkojë fitoren e parë pa numrin 10 të ekipit, i cili ende nuk e ka përfunduar procesin e rikuperimit. Lajmi u konfirmua nga Konfederata Braziliane e Futbollit përmes një komunikate zyrtare. “Lojtari Neymar nuk do të udhëtojë me delegacionin drejt Filadelfias. Ai do të qëndrojë në New Jersey për të optimizuar fazën përfundimtare të rikuperimit, duke shfrytëzuar kushtet dhe infrastrukturën e disponueshme në Hotel The Ridge dhe Columbia Park CT”, thuhet në njoftimin e CBF-së. Kjo do të jetë ndeshja e dytë radhazi që Neymar humbet në këtë Kupë Bote, pavarësisht optimizmit që kishte shfaqur një ditë më parë gjatë një seance stërvitore.